Nëntori, muaji i krenarisë kombëtare, vjen i mbushur me art, emocion dhe ndjesi patriotike në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP), me një kalendar të pasur prej 17 shfaqjesh që ndërthurin traditën dhe artin bashkëkohor.
Sipas njoftimit të TKOBAP-së, muaji hapet me baletin “La Sylphide”, një nga veprat më poetike të repertorit klasik, që sjell në skenë butësinë, ëndrrën dhe tragjedinë e dashurisë.
Pasuar nga një mbrëmje e veçantë kushtuar gjeniut rumun George Enescu, muzika e të cilit vjen premierë në Tiranë.
Ansambli Popullor do të sjellë premierën “Shqipëri o nëna ime”, një mbrëmje e dedikuar flamurit dhe atdheut, ndërsa një koncert nën dirigjimin e James Ross do të bashkojë tingullin dhe poezinë.
Sopranoja e famshme Ermonela Jaho, së bashku me Orkestrën Simfonike të TKOBAP-së, do të performojë në Gjakovë me një gala të jashtëzakonshme në kuadër të Festivalit “Ditët e Nëntorit”.
Kori i TKOBAP-së do të bashkëpunojë me Ambasadën e Kroacisë dhe JKN në një koncert unik.
Publiku do të ketë mundësi të shijojë gjithashtu recitalin “Violinë & Piano” nga Ejona Nako dhe Ina Petrollari Laco, si edhe madhështinë e klasikëve “Beethoven & Mozart” në interpretimin e Orkestrës Simfonike të TKOBAP-së.
Premierë absolute do të jetë edhe cikli poetik i Schubert-it, “Kënga e Mjellmës”, një udhëtim mes jetës dhe përjetësisë.
Një ngjarje e veçantë do të jetë koncerti i Check Boys – Boni Puer, korit të djemve me famë botërore nga Çekia, që do të performojë në TKOBAP dhe më pas në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë.
Gjithashtu në Ditën e Flamurit, Orkestra Simfonike e RTSH-së dhe ajo e TKOBAP-së do të bashkohen për të sjellë një koncert përkujtimor kushtuar Historisë së Filmit Shqiptar.
Muaji do të përmbyllet me performancat e Ansamblit Popullor në Fier dhe Vlorë, që do të shpërndajnë ritmin dhe shpirtin e traditës shqiptare në mbarë vendin./atsh/Katror.info
















