Ylli brazilian i futbollit, Neymar, ka arritur marrëveshje të përbashkët për përfundimin e kontratës së tij me klubin saudit Al-Hilal, shkruan Reuters, përcjell Katror.info.
Ky vendim vjen pas vetëm shtatë paraqitjeve të Neymar për klubin që prej transferimit të tij në gusht 2023 nga Paris Saint-Germain për një shumë prej 90 milionë eurosh.
“Klubi shpreh falënderimet dhe mirënjohjen për gjithçka që Neymar ka dhënë gjatë karrierës së tij te Al-Hilal dhe i uron suksese në karrierën e tij”, thuhet në njoftimin e Al-Hilal.
Qëndrimi i Neymar te Al-Hilal u shoqërua me sfida, duke përfshirë edhe dëmtime të shumta. Më i rëndësishmi ishte një këputje e ligamentit të kryqëzuar, që ndodhi gjatë një ndeshjeje ndërkombëtare në tetor 2023, e cila ndikoi ndjeshëm në kohën e tij në fushë.
Pas largimit nga klubi saudit, Neymar pritet të rikthehet te klubi i tij i fëmijërisë, Santos, në Brazil. Ky rikthim është konsideruar si një lëvizje emocionuese për tifozët e tij dhe për klubin, që mezi presin rikthimin e një prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e tyre./Katror.info