Qeveria e Kosovës ka marrë të enjten në mbrëmje vendimin, që duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, shtetasit e Bosnjës dhe Hercegovinës do të mund të udhëtojnë drejt Kosovës vetëm me letërnjoftim biometrik.
Këtë e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në rrjete sociale, i cili potencoi se ky vendim ishte i paralajmëruar, ndërsa në nëntor u bënë dy vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor në Berlin, si pjesë e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit.
Kryeministri i Kosovës, potencoi se Kosova është vendi i parë që ka ratifikuar këtë marrëveshje në Parlament.
“Bllokada nga entiteti i Republikës Srpska i ka privuar për shumë gjatë qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës të drejtën e lëvizjes së lirë me letërnjoftime, në kohën kur i gjithë rajoni udhëton lirshëm drejt Bashkimit Evropian. Teksa ne po i japim fund pritjes së qytetarëve nga Bosnje dhe Hercegovina, mbetemi me shpresë se Bosnje dhe Hercegovina do të jetë në gjendje ta ratifikojë marrëveshjen sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që i gjithë rajoni të gëzojë lirinë e lëvizjes. Ne kemi besim se ky vendim do të rrisë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës, do të shtojë mundësitë për bashkëpunim dhe do të nxisë shkëmbimet në arsim, kulturë, sport, ekonomi dhe fusha të tjera me interes të përbashkët”, ka shkruar Kurti në Facebook./Katror.info
Përgatiti:
