Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka pranuar një njoftim zyrtar nga Bashkimi Evropian (BE) – DG TAXUD lidhur me ndryshimet në rregullat e transportit të mallrave për në BE apo përmes BE-së, shkruan Katror.info.
Sipas njoftimit të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’, sistemi i ri, i quajtur Import Control System 2 (ICS2), do të hyjë në fuqi më 1 prill 2025 dhe ka për qëllim forcimin e sigurisë dhe mbikëqyrjes doganore të BE-së për mallrat që hyjnë në territorin e saj.
Ky sistem do të kërkojë nga transportuesit hekurudhorë dhe rrugorë të dorëzojnë Deklaratën e Plotë të Përmbledhjes së Hyrjes (ENS) përpara mbërritjes së mallrave në BE.
Dogana e Kosovës thekson se ky ndryshim është i rëndësishëm për bizneset dhe transportuesit që operojnë me BE-në, duke i ftuar ata të njihen me detajet e plota dhe të ndjekin udhëzimet e nevojshme për të siguruar përshtatshmërinë me rregulloren e re./Katror.info