Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka bërë sot përurimin e fillimit të punimeve në sheshin ‘Xhorxh Bush” në kryeqytet. Ky projekt kap vlerën prej 18 milionë e 400 mijë euro.
Sipas autoriteteve lokale ky projekt përfshin hapësira të gjelbëruara, minisheshe, zona rekreative dhe sportive, si dhe hapësira argëtuese për fëmijët.
Punimet për ndërtimin e këtij sheshi parashihet të zgjasin një vit, derisa ato përfshijnë hapësirën nga katedralja “Nënë Tereza” deri te sheshi “Zahir Pajaziti”.
Ky projekt ka hasur në kundërshtim të opozitarëve në kryeqytet, pasi sipas tyre, zbatimi i tij po fillon pa u sqaruar një pjesë e pronës dhe kjo mund të ndikojë që çështja të shkojë në gjykata dhe të zvarritet si proces./Katror.info