Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka reaguar pas vendimit të fundit të administratës amerikane për prezantimin e një strukture të re tarifore për mallrat e importuara, duke theksuar se ky është momenti i duhur që Kosova të shqyrtojë mundësinë e implementimit të një aranzhimi të njëanshëm preferencial tregtar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky veprim do të parashikonte heqjen e tërësishme të tarifave doganore për mallrat e importuara nga ky vend, shkruan Katror.info.
Oda Amerikane theksoi se, ndërkohë që Kosova ka përfituar nga trajtimi pa doganë i më shumë se 3,500 produkteve përmes Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave të SHBA-së (GSP) për disa vite, mallrat amerikane eksportuar në Kosovë kanë mbetur të pasuara nga taksa doganore.
“Oda Ekonomike Amerikane beson se heqja e këtyre tarifave do të ishte një hap i rëndësishëm dhe proaktiv për zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me Shtetet e Bashkuara, të cilat mbeten partnerët më të afërt strategjikë dhe ekonomikë të Kosovës”, u shprehën përfaqësuesit e OEAK-së.
Sipas Odës Amerikane, ky hap do të shërbente si një demonstrim i gatishmërisë së Kosovës për të thelluar lidhjet ekonomike dypalëshe dhe do të theksonte përkushtimin e vendit ndaj vlerave të tregtisë së lirë dhe të drejtë. Për më tepër, ky veprim mund të krijonte mundësi më të mëdha për Kosovën në përpjekjet e ardhshme për një marrëveshje formale të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara.
Oda Ekonomike Amerikane gjithashtu e inkurajon Qeverinë e Kosovës të veprojë me vendosmëri për të arritur këtë qëllim dhe ofron mbështetje përpjekjeve të institucioneve kosovare për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqjen e investimeve amerikane./Katror.info