Filmi i gjatë artistik “Odiseja e Gëzimit”, me skenar dhe regji të Zgjim Terziqit, do ta ketë premierën botërore në një nga festivalet më prestigjioze të kinemasë botërore – Cairo International Film Festival. Ky festival është një nga vetëm 15 festivalet e kategorisë “A”, të akredituara nga FIAPF (Federation of Film Producers Associations), duke e renditur ngjarjen mes emrave më të mëdhenj të botës së filmit si Cannes, Berlinale apo Venecia.
Ngjarjet e filmit zhvillohen në fillim të mijëvjeçarit të ri dhe ndjekin historinë prekëse të Lisit, një djaloshi 12-vjeçar, babai i të cilit është person i zhdukur nga lufta e Kosovës. Në kërkim të ngrohtësisë dhe shpresës, Lisi i bashkohet një trupe cirku të huaj, që udhëton nëpër vendet e shkatërruara nga lufta për t’u sjellë fëmijëve gëzim dhe lumturi.
Në rolet kryesore interpretojnë Diar Sadiku, Lucie Fagedet, Frédéric Radepont, Iñaki Lartigue, Tristan Halilaj, Njomeza Fetiu, Meli Qena, Dukë Sllamniku, Edon Rizvanolli, Bajram Kafu Kinolli, Milot Hoxha dhe aktorë të tjerë të njohur të skenës vendore e ndërkombëtare.
“Odiseja e Gëzimit” është bashkëprodhim Kosovë–Francë, realizuar nga Plan Bee Films në bashkëprodhim me Mon Ballon Production, duke shënuar një tjetër sukses për kinematografinë kosovare në arenën ndërkombëtare./Katror.info