Në kuadër të Samitit të Ministrave të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Dubrovnik, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës dhe njëherësh Kryetar i Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor, Lulzim Rafuna, zhvilloi një takim me Johann Saathoff, Sekretar Shteti dhe anëtar i Bundestagut Gjerman.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit mes bizneseve gjermane, atyre të Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor, me fokus në forcimin e partneriteteve ekonomike dhe nxitjen e investimeve të reja.
“U theksua edhe organizimi i një eventi ekonomik të përbashkët si hap i parë konkret për afrimin e bizneseve nga Gjermania, Kosova dhe rajoni i Ballkanit. Ky takim konfirmon bashkëpunimin e shkëlqyer mes Odës Ekonomike të Kosovës dhe Qeverisë Gjermane, si dhe përkushtimin e përbashkët për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe integrim rajonal”, njofton OEK./Katror.info