Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kapiten Kreshnik Dreshaj, ka diplomuar me sukses në Kursin e Karrierës së Kapitenëve në Inxhinieri Ushtarake, zhvilluar në Fort Leonard Wood, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Ministra kosovare e Mbrojtjes.
Ky trajnim prestigjioz, sipas këtij njoftimi, ka për qëllim përgatitjen e liderëve të rinj për planifikim, udhëheqje dhe drejtim të operacioneve të inxhinierisë ushtarake, duke zhvilluar më tej aftësitë taktike dhe menaxheriale të oficerëve në misionet e tyre.
Pjesëmarrja dhe suksesi i oficerëve të FSK-së në trajnime të tilla ndërkombëtare dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të FSK-së për ngritjen e kapaciteteve profesionale, në bashkëpunim me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe në përputhje me standardet më të larta të vendeve të NATO-s./RTK/Katror.info