Një nga kryeveprat më të njohura të repertorit klasik botëror, “Carmen” e kompozitorit francez Georges Bizet, do të ngjitet në skenë për herë të parë nga Institucioni i Operës së Kosovës, më 22 korrik në Prishtinë. Ky moment përbën një ngjarje historike jo vetëm për institucionin, por për të gjithë jetën kulturore të vendit, shkruan Katror.info.
Bazuar në novelën e Prosper Mérimée, “Carmen” konsiderohet si një nga veprat më të fuqishme të realizmit në operë dhe një prej më të interpretuarave në historinë e muzikës klasike. Realizimi i saj në Kosovë shënon një etapë të re për skenën artistike dhe zhvillimin e muzikës operistike në vend.
Drejtori i Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, tha se ky produksion vjen në kuadër të 20-vjetorit të prezantimit të parë të kësaj vepre në Kosovë, dhe se përmes kësaj premiere po sjellin një standard të ri artistik në vend.
Opera do të jetë rezultat i një bashkëpunimi mes Operës, Filharmonisë dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, me një kast të gjerë prej rreth 200 artistësh, të cilët do të jenë të angazhuar në skenë.
Ky produksion pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha kulturore të vitit, duke i dhënë një shtysë të re zhvillimit të institucioneve muzikore në Kosovë dhe duke i ofruar publikut një përjetim të veçantë artistik./Katror.info