Ambasadori i BE-së në Kosovë Aivo Orav ka vlerësuar lart procesin zgjedhor të zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën (12 tetor) në Kosovë.
“Ambasadori i BE-së Aivo Orav mirëpriti sot zhvillimin paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale të Kosovës me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, duke vënë në dukje se mbulimi i lirë, i drejtë dhe gjithëpërfshirës mediatik kontribuoi në një proces zgjedhor transparent, dhe se e njëjta gjë pritet edhe në raundin e dytë,” thuhet në deklaratën e publikuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Policia e Kosovës ka vlerësuar procesin zgjedhor si të qetë dhe pa incidente, ndërsa prokuroria ka thënë se asnjë person nuk u ndalua gjatë ditës së zgjedhjeve. Ndryshe, 17 komuna pritet të shkojnë në balotazh, përfshirë edhe kryeqytetin. Në 21 komuna të tjera fituesi u bë i ditur qysh në raundin e parë. /Katror.info