Kampionatit Evropian të Esports – EEC25, është një tjetër event sportiv që mbahet për herë të parë në Kosovë.
Kjo ngjarje sportive, e para e këtij lloji, organizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Federatën e Esports të Kosovës.
“Ky është moment historik për Kosovën. Do të marrin pjesë 25 shtete në lojërat më të mira elektronike, pra Counter Strike 2 dhe Dota”, tha në një konferencë për media, kryetari i Federatës Esports Kosova Altin Preniqi.
Ndërsa, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Daulina Osmani ndër të tjera zbuloi se institucionet serbe s’i kanë lejuar sportistët e tyre të marrin pjesë në këtë garë historik.
“Kënaqësi e jashtëzakonshme duke konsideruar se na kujton që kur ke vullnet gjërat bëhen realitet. Sot Federata Esports po e bën Kosovën qendër. Për Kosovën është dëshmi e vizionit tonë për inovacion edhe sport. Me këtë po i hapim dyert të rinjve që vijnë nga Evropa. 250 garues do të vijnë në Prishtinë në 24 shtete, ku të gjithë kanë mundësinë për t’i ndjekur ndeshjet live”, theksoi ajo.
“Nga 25 shtetet e konfirmuara, sot 24 shtete për shkak të tërheqjes së Serbisë nga kampionati në momentin e fundit. Republika e Kosovës ka garantuar mjedis të barabartë për të gjitha shtetet dhe pjesëmarrësit, është për të ardhur keq që institucionet e Serbisë s’po i lënë sportistët të garojnë në garën më të madhe për esports. Edhe pse sportistët kanë pasur dëshirë, institucionet nuk i kanë lejuar”, pohoi Osmani, duke iu uruar suksese garueseve në këtë event sportiv.
Ndërkohë, edhe sekretari i përgjithshëm i IESF, Boban Totovski u shpreh i lumtur që një garë e nivelit të tillë po zhvillohet në Kosovë. /RTK/Katror.info