Një ngjarje kushtuar programit të shkëmbimit “Erasmus+” do të organizohet te Shtëpia e Evropës në Prishtinë, Kosovë, më datë 14 tetor 2024, ku bashkëbisedues do të jetë edhe Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, ky është eventin më i madh i Erasmus+ kushtuar mundësive për rininë!
“Këtë vit, jemi të lumtur të mirëpresim Ambasadorin e BE-së në Kosovë, i cili do të na bashkohet për të diskutuar rëndësinë e angazhimit të të rinjve dhe potencialin e jashtëzakonshëm të Erasmus+,” thuhet në njoftim në të cilin saktësohet se ngjarja mbahet më 14 tetor, në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë nga ora 10:00 – 12:00.
“Mos e humb këtë mundësi unike për të krijuar kontakte, për të mësuar dhe për të formuar të ardhmen tënde! Së bashku, le të eksplorojmë mundësitë e mahnitshme që Erasmus+ ka për të ofruar”, thuhet në njoftimin në rrjetet sociale të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Erasmus+ është program i Bashkimit Evropian i krijuar për të mbështetur arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në Evropë. Programi synon të nxisë aftësitë dhe punësueshmërinë, si dhe të modernizojë arsimin, trajnimin dhe punën për të rinjtë në të gjithë Evropën.
Programi, i cili filloi në vitin 2014, bazohet në programin e mëparshëm Erasmus (i cili u fokusua kryesisht në shkëmbimet e studentëve të arsimit të lartë) dhe zgjerohet duke përfshirë kategori më të gjera pjesëmarrësish dhe aktivitetesh. /Katror.info