Orges Arifi ka arritur të shtunën suksesin më të madh në karrierë. Karateisti prishtinas doli nënkampion i Evropës në kategorinë deri 60 kilogramë. Është ky po ashtu një prej sukseseve të mëdha të karatesë shqiptare në përgjithësi.
Arifi prezanton Shqipërinë, ndërsa në finale u përball me bartësin e parë, grekun Christos-Stefanos Xenos.
Xenos, që është kampion aktual botëror, realizoi herët epërsi prej 1:0. Arifi ia doli të barazoi në 1:1, por më pas garuesi grek realizoi edhe dy pikë për fitoren 3:1.
Paraqitja e Arifit ishte e fuqishme, përkundër humbjes. Medalja e argjendtë evropiane është sukses i madh për të dhe për karatenë shqiptare në përgjithësi./koha