Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë një koncert në qytetin e Gjakovës më 15 maj 2025, duke filluar nga ora 19:30, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”.
Nën drejtimin e dirigjentit të njohur Dario Salvi dhe me pjesëmarrjen e sopranos së mirënjohur Besa Llugiqi, koncerti premton të sjellë një përjetim artistik të veçantë për publikun artdashës të Gjakovës.
Repertori i mbrëmjes do të përfshijë vepra nga kompozitorët e njohur shqiptarë Rexho Mulliqi dhe Kreshnik Aliçkaj, të cilat pasqyrojnë pasurinë muzikore dhe shpirtin e traditës sonë kombëtare. Po ashtu, do të interpretohen edhe vepra të kompozitorëve botërorë si Giuseppe Verdi, Giacomo Puccini dhe Manuel de Falla, duke sjellë një përzierje të elegancës klasike dhe emocioneve universale.
Ky koncert është pjesë e përpjekjeve të Filharmonisë së Kosovës për të afruar muzikën klasike me publikun në mbarë vendin dhe për të promovuar vlerat artistike brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës./Katror.info