Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të rikthehet në skenë në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Filharmonia e Kosovës, shkruan Albanian Post.
“Orkestra e Filharmonisë së Kosovës rikthehet në skenë me koncertin e parë për vitin 2025 i cili do të mbahet më 17 janar 2025. Koncerti drejtohet nga dirigjenti italian Jacopo Sipari di Pescaseroli, duke sjellë një program romantik”, thuhet në komunikatën e Filharmonisë e Kosovës.
Programi do të hapet me uverturën “Finlandia”, nga Jean Sibelius.
“Për të vazhduar me koncertin për violinë të kompozitorit Max Bruch, interpretuar nga violinistja shqiptare Abigeila Voshtina, dhe do të përmbyllet me poemën simfonike “Isle of the Dead” të Sergei Rachmaninoff-it, një vepër e frymëzuar nga piktura e artistit të famshëm zviceran Arnold Böcklin”.
Koncerti i Filharmonisë së Kosovës është thënë se do të ofrojë një eksperiencë muzikore të paharrueshme, duke ju bashkuar dirigjenti Jacopo Sipari di Pescaseroli dhe violinistja Abigeila Voshtina.
Ky koncert pritet të sjellë në skenë një program të pasur, duke ofruar mrekulli dëgjuesve me veprat e Sibelius-it, Bruch-i dhe Rachmaninoff-it.
Orkestra e Filharmonisë mbahet çdo vit, në vende të ndryshme. Në kuadër të programit “Filharmonia në Lëvizje”, më 15 nëntor orkestra përformoi në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, në Gjakovë.
Edhe më 28 nëntor, Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës mbajti një koncert në Atelinë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë./Katror.info