Presidentja, Vjosa Osmani, ka pritur të hënën në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe rajon, si dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës.
“Presidentja Osmani dhe ambasadori Guerot folën edhe lidhur me konsultimet që ka zhvilluar presidentja me subjektet politike në funksion të zbatimit të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Ajo ritheksoi se respektimi i rendit kushtetues dhe demokratik është thelbësor për stabilitetin institucional dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Tutje, në njoftim thuhet se gjatë takimit është diskutuar edhe për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Francës, përfshirë thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si dhe rëndësinë e mbështetjes së Francës në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës. /Katror.info
Përgatiti:
