Në një takim të mbajtur dje me Brian Mast, Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së dhe presidentës së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u diskutua për marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, njoftoi Osmani përmes rrjeteve sociale, përcjell Katror.info.
“Dje në takim me Brian Mast, Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, diskutuam për lidhjen historike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara – një aleancë e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe përkushtim për paqe e siguri”, thuhet në njoftim.
Takimi theksoi aleancën historike mes dy vendeve, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe angazhim të vazhdueshëm për paqe dhe siguri.
Gjatë bisedimeve, u theksua edhe rëndësia e forcimit të bashkëpunimit në fusha strategjike, veçanërisht në mbrojtje, ekonomi dhe investime. Përfaqësuesit e Kosovës shprehën synimin për të thelluar partneritetin me administratën e Presidentit Trump, duke nënvizuar nevojën për mbështetje të vazhdueshme në arenën ndërkombëtare.
Përmes këtij takimi, Kosova riafirmoi përkushtimin e saj për të forcuar pozitën e saj globale në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, duke vijuar angazhimin për stabilitet dhe zhvillim në rajon.
Kujtojmë gjithashtu se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, udhëtoi për në Washington, D.C., me ftesë të një grupi kongresistësh amerikanë ku mori pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit dhe mbajti fjalim në Drekën Ndërkombëtare.
Lutjet Nacionale të Mëngjesit janë një ngjarje tradicionale, ku mblidhen liderë globalë për lutje të përbashkëta./Katror.info