Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Japonisë në Kosovë, Kiminori Iwama, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet bilaterale, zhvillimet në rajon dhe sfidat aktuale të sigurisë, shkruan Katror.info.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë ndaj Kosovës, veçanërisht në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ajo theksoi rolin e rëndësishëm të Japonisë si partner i besueshëm dhe kontribuues në zhvillimin e vendit, përmes projekteve të ndryshme të agjencisë japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar (JICA).
Në këtë kontekst, Presidentja e informoi ambasadorin Iwama për vizitën e planifikuar në Japoni gjatë muajit qershor, e cila do të përfshijë edhe pjesëmarrjen e Kosovës në EXPO 2025 në Osaka. Ajo shtoi se kjo vizitë do të përkojë me Ditën e Çlirimit të Kosovës më 12 qershor, duke e cilësuar si një mundësi të veçantë për promovimin e vendit dhe për forcimin e lidhjeve mes dy shteteve.
Presidentja Osmani gjithashtu nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha si ekonomia, arsimi dhe shkëmbimet kulturore, duke përmendur ndikimin e ndjeshëm të programeve japoneze dhe bursave që u ofrohen të rinjve kosovarë.
Ambasadori Iwama, nga ana e tij, rikonfirmoi përkushtimin e Japonisë për të mbështetur zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, si dhe interesimin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët./Katror.info