Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Dame Karen Pierce, të dërguarën speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.
Siç ka bërë të ditur Osmani përmes një postimi në platformën X, gjatë bisedës është diskutuar për zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, të cilat, sipas saj, dëshmuan profesionalizmin e institucioneve dhe përkushtimin e qytetarëve ndaj demokracisë.
Presidentja ka ngritur shqetësime serioze për ndërhyrjet e paligjshme të Serbisë në procesin zgjedhor, duke theksuar se veprime të tilla godasin në zemër të demokracisë dhe kërkojnë reagim të bashkuar ndërkombëtar.
“Shpreha shqetësim të thellë për ndërhyrjen e paligjshme të Serbisë në zgjedhjet tona përmes veprimeve që godasin në vetë zemrën e demokracisë. Sjellje të tilla destabilizuese duhet të përballen me një reagim të qartë dhe të bashkuar nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Osmani.
Në bisedë u diskutua edhe për hapat e ardhshëm drejt formimit të Qeverisë dhe thellimin e bashkëpunimit strategjik dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar./Katror.info