Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur një raund të ri konsultimesh me përfaqësuesit e partive politike, në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga situata e bllokuar në Kuvendin e Kosovës. Takimet janë planifikuar të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme, shkruan Katror.info.
Një nga zyrtarët që ka pranuar ftesë për takim është bashkëkryetari i Guxo, Faton Peci, i cili njoftoi se do të takohet me Presidenten në ora 09:00.
Edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, konfirmoi se është ftuar për takim ditën e enjte.
Në ditën e parë të konsultimeve, Presidentja Osmani ka mbajtur takime me Kryeministrin në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj./Katror.info