Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë.
Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon të adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst global gjithnjë e më të polarizuar, duke theksuar nevojën për rikthimin e diplomacisë si një forcë stabilizuese dhe ndërtuese të paqes.
Presidentja Osmani do të marrë pjesë në një bashkëbisedim mbi temën qendrore të këtij edicioni, ku do të diskutohet roli i diplomacisë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit në një realitet të fragmentuar global.
Gjatë punimeve të Forumit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme, me synim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Forumi Diplomatik i Antalisë është një platformë e nivelit të lartë që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga e gjithë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar./Katror.info