Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po përfaqëson vendin në samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që po mbahet në Tiranë, Shqipëri, shkruan Katror.info.
Ky samit i rëndësishëm mbledh 45 liderë evropianë, përfshirë edhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, për të diskutuar mbi sfidat dhe të ardhmen e përbashkët të kontinentit.
Presidentja Osmani u prit nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore të samitit. Një nga rolet qendrore të Presidentes gjatë këtij samiti është bashkëkryesimi i tryezës së liderëve me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”, së bashku me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković.
Kjo tryezë do të fokusohet në sfidat e sigurisë në Evropë, çështjet që lidhen me migrimin, lëvizshmërinë dhe përfshirjen e të rinjve, si dhe në potencialin e diasporës për zhvillim ekonomik dhe stabilitet. Ndër pjesëmarrësit në këtë diskutim janë liderë të vendeve të ndryshme evropiane, përfshirë kryeministrat e Italisë, Austrisë, Hungarisë dhe Belgjikës.
Përveç pjesëmarrjes në seancat plenare dhe tryezat tematike, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe një sërë takimesh bilaterale me liderë të tjerë evropianë, me qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe përfaqësimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Komuniteti Politik Evropian, i themeluar në vitin 2022, shërben si platformë për bashkëpunim dhe dialog ndërmjet vendeve anëtare të BE-së dhe atyre jashtë saj, me qëllim forcimin e lidhjeve politike dhe ekonomike dhe adresimin e sfidave të përbashkëta./Katror.info