Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në panelin me temë “Sistemi Global i Refugjatëve dhe Azilit: Çfarë shkoi keq dhe si të rregullohet”, të organizuar nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shkruan Katror.info.
E ftuar nga Zëvendës Sekretari i Shtetit, Christopher Landau, Osmani tha se Kosova mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve dhe azilkërkuesve, duke ofruar përvojën e saj si një vend që vetë ka kaluar përmes sfidave të tilla në të kaluarën.
“Pjesëmarrja jonë në këtë diskutim është dëshmi e përgjegjësisë sonë si shtet që kontribuon në debatin global për sfida që prekin miliona njerëz,” u shpreh Osmani.
Paneli, i cili mblodhi liderë botërorë, diplomatë dhe ekspertë të fushës, u fokusua në identifikimin e dështimeve të sistemit ekzistues ndërkombëtar dhe në gjetjen e zgjidhjeve për një qasje më humane dhe efikase për refugjatët./Katror.info