Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan Katror.info.
Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, përfshirë situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. Presidentja Osmani theksoi shqetësimet lidhur me, siç thuhet në njoftim, “tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe të të gjithë rajonit, përmes veprimeve të mirëkoordinuara me struktura ilegale dhe banda kriminale serbe”.
Në këtë kontekst, u përmendën edhe arrestimet e fundit në Gjakovë dhe Prizren të disa qytetarëve serbë, për të cilët autoritetet e sigurisë kanë nisur hetime mbi lidhjet e mundshme me struktura të inteligjencës ushtarake serbe dhe me pjesëtarë të grupit të përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë.
Presidentja Osmani, sipas njoftimit, deklaroi se: “Kosova nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje që rrezikon paqen, rendin kushtetues dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim përkatësie”,
Ajo gjithashtu ka shprehur falënderim për institucionet e sigurisë në Kosovë dhe ka diskutuar me znj. Prattipati rreth bashkëpunimit të mëtejshëm me SHBA-të në fushën e sigurisë dhe forcimit të aleancës strategjike ndërmjet dy vendeve./Katror.info