Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Procesit Aqaba për Ballkanin III, që po mbahet në Sofje, me ftesë të Mbretit të Jordanisë, Abdullah II, dhe Presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, shkruan Katror.info.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Osmani shkroi: “Me Mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, në Takimin e Aqaba në Sofje, për ta nxitur bashkëpunimin, dialogun dhe stabilitetin rajonal”.
Takimi, që mbahet nën patronazhin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë dhe Republikës së Bullgarisë, ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Procesi Aqaba, i iniciuar në vitin 2015 nga Mbreti Abdullah II, është një platformë e rëndësishme për koordinimin global në fushën e sigurisë dhe adresimin e sfidave në këtë drejtim.
Pjesë e vizitës do të jenë edhe takimet bilaterale me liderë të tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë, me fokus në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, avancimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë në përputhje me standardet euroatlantike./Katror.info