Në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me Gjeneralin Christopher Cavoli, Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë (SACEUR) në NATO.
Në njoftimin e presidentes në Facebook, thuhet se gjatë takimit kanë diskutuar mbi rolin e pazëvendësueshëm të NATO-s në Kosovë gjatë 23 viteve të fundit në mbrojtje të sigurisë dhe stabilitetit.
“Në këtë kohë përcaktuese për kontinentin evropian, riafirmova përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për një bashkëpunim të ngushtë me aleancën, duke kontribuar aktivisht në sigurinë e rajonit dhe më gjerë”, ka shkruar Osmani.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, presidentja Osmani në margjinat e Konferencës së Sigurisë, që po mbahet në qytetin Mynih, po zhvillon takime të shumta.
Ajo u takua edhe me përfaqësues të partisë Gjermane CDU.
“Bashkëpunimi me Gjermaninë mbetet një nga prioritetet kryesore, e CDU si parti ka kontribuar ndër vite në kultivimin e marrëdhënieve tona bilaterale.
Sot, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, takova deputetët Annette Widmann-Mauz dhe Jürgen Hardt nga radhët e CDU-së.
Diskutuam rëndësinë e koordinimit dhe komunikimit të rregullt për t’u përballur me sfidat e sigurisë, avancimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, si dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik,” thueht në njoftim. /Katror.info