Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në vend dhe për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në tejkalimin e sfidave të përbashkëta në Evropë, shkruan Katror.info.
Gjatë takimit, u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi mes Presidencës së Kosovës, Ambasadës së Suedisë dhe Balkan Policy Research Group, i cili parasheh mbështetjen e Presidencës me ekspertizë profesionale nga shteti suedez.
Memorandumi u nënshkrua nga Presidentja Osmani, Ambasadori Westerlund dhe drejtori ekzekutiv i Balkan Policy Research Group, Naim Rashiti.
Në ceremoninë e nënshkrimit, Presidentja Osmani vlerësoi partneritetin me Suedinë dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale në forcimin e kapaciteteve shtetërore dhe në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës. Ajo falënderoi Ambasadorin Westerlund për përkrahjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj institucioneve të Kosovës dhe për kontributin e këtij shteti në zhvillimin demokratik dhe institucional të vendit.
Sipas njoftimit të Presidencës, ky Memorandum synon të ndihmojë në përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe në hartimin e politikave të bazuara në ekspertizë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Pritet që përmes këtij bashkëpunimi, Presidenca të përfitojë asistencë profesionale në fusha të ndryshme të qeverisjes dhe politikave publike, duke përmirësuar më tej funksionimin institucional dhe proceset vendimmarrëse.
Suedia ka qenë një ndër mbështetëset kryesore të Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe forcimit të institucioneve demokratike./Katror.info