Me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdoğan, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë, shkruan Katror.info.
Në prag të këtij forumi, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, duke e quajtur Presidentin Erdoğan “një mik të dëshmuar të Kosovës, një zë të fuqishëm për të drejtën tonë, dhe një shtyllë të fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë.”
“Presidenti Erdoğan është lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfidë e në çdo sukses. Ai është një zë i fuqishëm i miqësisë dhe vizionit të përbashkët,” theksoi Osmani.
Turqia vazhdon të jetë një partner kyç për Kosovën në paqe, siguri dhe zhvillim rajonal, ndërsa marrëdhëniet dypalëshe janë ndërtuar mbi bazën e besimit, respektit dhe vizionit të përbashkët për të ardhmen.
Forumi i këtij viti zhvillohet nën temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar” dhe synon të adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst global gjithnjë e më të polarizuar. Në fokus është roli i diplomacisë si një mjet thelbësor për ndërtimin e paqes, forcimin e bashkëpunimit dhe kapërcimin e ndarjeve globale./Katror.info