Partitë kryesore politike në vend – Lëvizja Vetëvendosje, PDK, LDK dhe AAK – po vazhdojnë të veprojnë me ritmin e zakonshëm zgjedhor, duke lënë dorëzimin e listave të kandidatëve për në fund të afatit për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025. Deri tani, vetëm LDK ka bërë publike listën e plotë të kandidatëve për kryetarë komunash në gjithë vendin.
Zgjedhjet e sivjetme lokale përfshijnë dy lloje garash: për kryetarë komunash dhe për kuvendet komunale, çka i detyron subjektet politike të përgatisin shumë më tepër kandidatë sesa në zgjedhjet nacionale. Derisa partitë ende janë në fazën e përzgjedhjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka hapur më 26 qershor afatin për aplikim online, i cili përfundon më 13 gusht.
“Brenda këtij afati, subjektet politike – partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – duhet të dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe për asamble komunale,” deklaroi për Ekonomia Online, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së. Ai shtoi se është në dorën e subjekteve të vendosin në cilat komuna do të garojnë dhe për cilin lloj zgjedhjeje – vetëm për kryetar, vetëm për asamble, apo për të dyja njëkohësisht.
Zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 do të jenë të tetat me radhë për kuvendet komunale dhe të gjashtat për kryetarë komunash në Kosovë./Katror.info