Në Tiranë për herë të parë, hapi dyert Kolegji i Evropës, me 24 nëpunësit civilë nga Ballkani Perëndimor, të cilët do të jenë pjesë e trajnimit “Çështjet Evropiane dhe Bashkëpunimi Rajonal”.
E pranishme, ishte dhe Frederica Mogherini, rektore e Kolegjit të Evropës.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e çeljes së Kolegjit deklaroi hapa të tillë e bëjnë të ardhmen tonë në Evropë më të prekshme, shkruan tvklan.al.
“Mirëpresim trajnimin e Kolegjit të Evropës për nëpunësit e ri civil nga Shqipëria dhe rajoni. Hapa të tillë e bëjnë të ardhmen tonë në Evropë më të prekshme. Iniciativa e Kolegjit është një hap gjigant për të rinjtë e Ballkanit Perëndimorë”, tha ministri.
Hasani theksoi se Kampusi i Tiranës do të vendosë rajonin tonë në hartën e profesionistëve të BE-së.
“Disa do ta argumentonin se kemi një rajon të trazuar, me hije të gjata nga e kaluara. Nuk e ndryshojmë dot të kaluarën, por mund të bëjmë më shumë për të ardhmen. Besoj se për të gjithë ju që vini nga rajoni do ta ndjeni frymën e Evropës këtu. Shfrytëzojmë atë ndjenjë dhe ndërtojmë ura bashkëpunimi që do ta forcojnë rajonin tonë”, tha Hasani.
Hasanit përcolli edhe një mesazh inkurajimi për studentët e parë. Sipas tij vetëm kështu do mund të finalizojmë qëllimin e Shqipërisë, integrimin e plotë në BE. /Katror.info
Përgatiti:
