Filharmonia e Kosovës përfundoi programin e muajit shkurt me një koncert që solli një kombinim mes traditës dhe muzikës bashkëkohore, me fokus krijimtarinë e kompozitorëve kosovarë, shkruan Katror.info.
Nën drejtimin e dirigjentit Antoine Marguier, koncerti nisi me “Simfoninë nr. 1” të Rexho Mulliqit. Më pas, saksofonisti Vitaly Vatulya interpretoi “AlBalcanica”, një vepër për saksofon, harqe dhe perkusion të kompozitorit Valton Beqiri. Në vijim, sopranoja Besa Llugiqi solli emocione me interpretimet e arieve nga repertori operistik italian, përfshirë “Un bel dì vedremo” nga “Madama Butterfly” e Puccinit dhe “È strano… Sempre libera” nga “La Traviata” e Verdit.
Pjesa e dytë e koncertit përfshiu “Simfoninë nr. 2” të Kreshnik Aliçkajt, ndërsa mbrëmja u përmbyll me “The Three-Cornered Hat, Suita nr. 2” të Manuel de Falla.
Filharmonia e Kosovës do të vazhdojë me paraqitje brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë një koncert në Casino Bern, Zvicër, më 12 mars 2025, në orën 19:30. Ndërsa në Prishtinë, koncerti i radhës do të mbahet më 4 mars, me dy shfaqje në orën 13:30 dhe 14:30, të dedikuara për audiencën e re./Katror.info