Federata e Xhudos e Kosovës (FXHK) ka hapur sot të premten mbrëma ekspozitën “Përpjekja e artë – rrugëtimi i xhudos në lartësimin e Kosovës”.
Ekspozita u hap në galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë.
Ekspozita është një udhëtim në historinë e lavdishme të xhudos, të ndërtuar mbi përpjekjet e përditshme shumëvjeçare, me mund dhe dashuri për xhudon dhe Kosovën.
“Gjithçka i nënshtrohet përpjekjes. Kur puna ndërtohet mbi talent dhe përpjekja është e vazhdueshme, ngritja është e pashmangjshme pas secilës rënie. Fitorja i përket atij që ngrihet – që refuzon dorëzimin. Kjo ekpsozitë është një udhëtim në historinë e lavdishme të xhudos – të ndërtuar mbi përpjekjet e përditshme shumëvjeçare – me mund dhe dashuri për xhudon dhe Kosovën,” ka shkruar kuratori Berat Bajrami.
Ekspozita zbulon copëza të një jete kushtuar xhudos, një rrugë të ndërtuar me sakrifica drejt triumfeve të mëdha. Sukseset historike të xhudos bartin emra individualë, dhe nga medaljet e tyre u lartësua Kosova./Katror.info