Pianistja nga Kosova, Anila Aliu i ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët, pasi ka fituar çmime shumë të rëndësishme në të gjithë botën.
Vetëm 23-vjeçe, ajo është rreshtuar mes emrave të njohur ndërkombëtarë të muzikës klasike. Së fundmi, ka fituar çmimin kryesor në një konkurs në Tailandë. Në një intervistë për ABC News, Anila ka treguar se për të arritur deri këtu i është dashur të kalojë raunde të ndryshme për disa vite me radhë dhe padyshim shumë punë.
“Unë tani sapo u ktheva nga Tajlanda, ka qene një nga eksperiencat më të bukura për gjatë karrierës sime. Një garë e një niveli jashtëzakonisht profesional, pasi kishte përfaqësues nga e gjithë bota. Unë përfaqësova Kosovën dhe pata nderin dhe kënaqësinë të prezantoj muzikën klasike të shtetit tonë dhe nivelit ku ne jemi,” shpjegon ajo.
Sipas saj për këtë garë, është dashur të përgatitet për vite me radhë.

” Raundi i pari ka qene në vitin 2020-2021, ku fitova një çmim, që më mundësoi të kalojë në raundin tjetër. Në secilin raund konkurenca sa vinte e rritej, sepse shtetet vetëm zvogëloheshin. Tani arrita të jem pjesë e shteteve finaliste, të cilët morën pjesë dhe performuan në BangKok të Tajlandës tani në fund të muajit prill. Ka qene një organizim fantastik në të gjitha detajet, shumë profesional, konkurentët kanë qene të jashtëzakonshëm. Kemi pasur nga moshat më të ndryshme, deri në kategorinë e moshës pa limit, mund ta merrni me mend se çfarë niveli dhe konkurence ka qenë. Mirëpo, falë punës së madhe, arrita të triumfoj”, tha ajo.
Ajo gjithashtu ka fituar një çmim edhe në Beograd, për të ciloin thotë se është shumë krenare, “pasi në botën e muzikës klasike nuk ka rëndësi se nga vjen, por talenti që ke.”

“Më bën krenare dhe shumë të lumtur, fakti që në botën e muzikës klasike nuk ka rëndësi se nga vjen dhe çmohesh dhe vlerësohesh për atë që ti dhuron në skenë. Është diçka që e sheh dhe e ndjek një audiencë, një publik i tërë, një juri shumë profesionale me prejardhje nga shtete të ndryshme të botës. Kështu që ti aty vlerësohesh vetëm për atë ç’ka ti ofron në skenë. Mund të jesh e një niveli të jashtëzakonshëm, mirëpo gjatë atyre pak minutash performancë në skenë, ndoshta nuk është dita jote dhe nuk arrin të shpalosësh ato ç’ka ti ke punuar me vite e vite”, tregoi pianistja./Katror.info