Platforma eKosova ka shënuar 1 milion përdorues, një arritje që thekson përparimin e rëndësishëm në transformimin digjital të Republikës së Kosovës, përcjell Katror.info.
Në një njoftim të publikuar në Facebook, platforma ka nënvizuar se ky sukses është pasojë e përkushtimit të saj për të ofruar shërbime që plotësojnë nevojat e qytetarëve dhe që sjellin mundësi inovative në sektorin e shërbimeve digjitale.
“Kjo është një dëshmi e fuqishme e besimit që përdoruesit kanë treguar ndaj platformës eKosova, duke zgjedhur shërbimet tona të shpejta, efikase dhe moderne,” thuhet në njoftim.
Në këtë kontekst, platforma është e angazhuar të vazhdojë përmirësimin dhe zgjerimin e shërbimeve të saj, duke sjellë mundësi të reja për qytetarët e Kosovës.
“Jemi të përkushtuar të vazhdojmë punën tonë për të ofruar shërbime të avancuara dhe për të sjellë inovacion të mëtejshëm. Faleminderit që jeni pjesë e këtij rrugëtimi! Bashkë po ndërtojmë të ardhmen digjitale,” përfundon njoftimi.
Ky moment i rëndësishëm reflekton angazhimin për të sjellë një transformim të vërtetë në shërbimet publike, përmes teknologjisë dhe digjitalizimit./Katror.info