Komuna e Podujevës, në bashkëpunim me GIZ Kosova, ka përmbyllur me sukses projektin “Bashkë për një ambient më të pastër”, një iniciativë që ka sjellë përmirësime të rëndësishme në menaxhimin dhe ndarjen e mbeturinave në shkolla dhe institucione publike, shkruan Katror.info.
Sipas njoftimit të komunës, projekti është realizuar me mbështetjen e kompanive të menaxhimit të mbeturinave “Pastrimi” dhe “Natyra” dhe ka dhënë rezultate të dukshme.
Brenda këtij projekti, është mundësuar ndarja e mbeturinave të letrës dhe plastikës në shkollën “Dr. Ibrahim Rugova”, ndërsa 13,000 nxënës dhe mësimdhënës janë trajnuar mbi rëndësinë e ndarjes së mbeturinave përmes aktiviteteve edukative. Po ashtu, institucionet publike janë pajisur me 374 kosha për ndarjen e mbeturinave, duke ndihmuar në procesin e riciklimit. Projekti ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të familjeve të regjistruara për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave, nga 13,440 në 19,454.
Në ceremoninë përmbyllëse, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, falënderoi Udhëheqësen e Programit, Marianne Alker, dhe të gjithë bashkëpunëtorët për kontributin e tyre në realizimin e këtij projekti.
Ai vlerësoi se iniciativa ka ndihmuar në përafrimin e praktikave lokale me standardet e Bashkimit Evropian për menaxhimin e mbeturinave dhe ka kontribuar në krijimin e një mjedisi më të pastër dhe të qëndrueshëm për komunitetin./Katror.info