Policia e Kosovës ka njoftuar se plani operacional i paraparë për sigurimin e procesit zgjedhor është realizuar me sukses në të gjithë territorin e Kosovës. Sipas Policisë, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional kanë ndihmuar në sigurimin e një procesi zgjedhor të qetë dhe pa incidente të mëdha që mund të kishin penguar zhvillimin e tij, shkruan Katror.info.
Policia përmes një deklarate ka vlerësuar se procesi zgjedhor ka kaluar pa incidente serioze dhe ka theksuar rëndësinë e planit policor për parandalimin e veprave penale kundër të drejtës së votimit. Sipas autoriteteve, çdo veprim i kundërligjshëm është trajtuar sipas ligjeve të Kosovës për të siguruar zgjedhje të lira dhe demokratike.
Në total, Policia ka iniciuar gjashtë raste, duke përfshirë katër raste të natyrës penale lidhur me të drejtat e votimit dhe dy raste për sulm ndaj personelit zyrtar dhe kanosje. Shtatë persona janë shoqëruar, nga të cilët katër janë dërguar në mbajtje dhe tre janë liruar pas procedurave të rregullta.
Po ashtu, thuhet se janë trajtuar edhe disa raste tjera, për të cilat në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent janë evidentuar si shënime zyrtare.
“Vlen të potencohet se Policia e Kosovës ka trajtuar çdo informacion i cili ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor, si dhe ka trajtuar edhe raste tjera që nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor. Plani policor vlerësohet se është realizuar me sukses, falë bashkëpunimit ndërinstitucional, falë punës dhe angazhimeve të zyrtarëve policorë si dhe bashkëpunimit dhe kulturës së lartë të treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës” theksohet në deklaraten e policisë./Katror.info