Policia e Kosovës ka njoftuar se të dielën, më 28 shtator 2025, do të ndërmerren masa të veçanta për menaxhimin e trafikut në kryeqytet dhe rrethinë, për shkak të mbajtjes së maratonës ndërkombëtare “Prishtina 2025”.
Në njoftim thuhet se janë bërë të gjitha përgatitjet për garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve dhe qytetarëve, ndërsa do të ketë lirime, kufizime dhe bllokime të pjesshme ose të plota në disa segmente rrugore.
“Qarkullimi i automjeteve do të ndërpritet përkohësisht në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, në të dy drejtimet (nga dhe drejt Pejës), deri te nyja që lidh me autostradën ‘Ibrahim Rugova’. Kufizimet do të jenë në fuqi të dielën, nga ora 09:00, deri në përfundim të maratonës”, ka bërë të ditur Policia.
Autoritetet kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke apeluar që ata të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre sipas kufizimeve të njoftuara.
Rrugët alternative të qarkullimit:
- Ngasësit nga Peja drejt Prishtinës: Sllatinë – Magurë – Lipjan – rruga nacionale Ferizaj–Prishtinë.
- Nga Peja drejt Fushë Kosovës: Sllatinë – Bardh i Vogël – Kuzmin – Fushë Kosovë.
- Nga Prishtina/Veterniku drejt Pejës ose Aeroportit: Prishtinë – Lipjan – Rufc i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.
- Nga Mitrovica drejt Pejës/Aeroportit: autostrada nga Mazgiti drejt Shkupit – Lipjan – Rufc i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.
- Nga Mitrovica drejt Ferizajt: lëvizja do të jetë e lirë në rrugën nacionale, pa ndalesa.
- Transporti publik (autobusët) në relacione Prishtinë – Fushë Kosovë – Aeroport dhe drejt Pejës: duhet të përdorë rrugët alternative gjatë kohës së garës.
/Katror.info