Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin publik se së fundmi po qarkullojnë disa e-mail-e të rreme, të cilat paraqiten kinse si komunikime zyrtare të këtij institucioni, madje duke u atribuar edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, këto e-mail-e janë të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE” dhe përmbajnë numra referues dosjesh, duke pretenduar se janë lëshuar nga zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës apo institucione të tjera vendore e ndërkombëtare, si Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovë, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale.
Policia e Kosovës ka sqaruar se këto dokumente nuk janë zyrtare dhe nuk janë lëshuar nga asnjë zyrtar i saj, por bëhet fjalë për e-mail-e dhe dokumente të falsifikuara, të krijuara për qëllime të caktuara mashtruese.
Institucioni bën të ditur se, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ka nisur hetime intensive për të verifikuar rastet dhe për të identifikuar autorët e këtyre veprave penale, duke angazhuar njësitet kompetente policore.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave apo mashtrimeve të tilla dhe çdo e-mail apo dokument të dyshimtë ta raportojnë në adresën zyrtare të Policisë së Kosovës: info@kosovopolice.com, për trajtim dhe veprime të mëtejme./Katror.info










