Në kuadër të Green Postal Day 2025, Posta e Kosovës i është bashkuar iniciativës globale për zhvillim të qëndrueshëm dhe ofrim të shërbimeve miqësore me mjedisin, duke prezantuar një sërë veprimesh konkrete në këtë drejtim.
Në fokus të këtij angazhimi është flota e gjelbër, me motoçikleta elektrike dhe furgonë të rinj që mundësojnë shpërndarje pa ndotje. Krahas kësaj, Posta ka investuar edhe në efiçiencë energjie, përmes izolimit të zyrave, ndriçimit LED dhe sistemeve ekologjike të klimatizimit.
Shërbimet digjitale si gjurmimi online i dërgesave dhe pagesat elektronike reduktojnë nevojën për udhëtime fizike, duke kursyer kohë dhe duke ulur gjurmën e karbonit. Një tjetër hap i rëndësishëm është përdorimi i paketimit të riciklueshëm, i cili promovon mbrojtjen e mjedisit.
Përmes filatelisë tematike, Posta e Kosovës përcjell mesazhe për natyrën, barazinë dhe trashëgiminë kulturore, ndërsa përmes aktiviteteve edukative dhe mbështetjes së kauzave sociale, forcon lidhjen me komunitetin.
Me këto iniciativa, Posta e Kosovës synon të shërbejë jo vetëm si ofrues i shërbimeve postare, por edhe si një promotor i përgjegjësisë shoqërore, transparencës dhe barazisë, sipas parimeve ESG.
“Me Postën e Kosovës, zgjedh një të ardhme më të pastër e më të gjelbër,” thuhet në njoftimin e institucionit./Katror.info