Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, ku u diskutua rreth themelimit të Komisionit Presidencial për Drejtësinë Tranzicionale, shkruan Katror.info.
Ky organ pritet të luajë një rol kyç në trajtimin e së kaluarës dhe në ndërtimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse ndaj drejtësisë për viktimat e luftës.
Sipas njoftimeve nga Presidenca, themelimi i këtij komisioni rrjedh nga Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale e Kosovës dhe do të realizohet në bashkëpunim me organizatat përfaqësuese të viktimave, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Procesi i funksionalizimit të tij pritet të vazhdojë në javët e ardhshme.
Gjatë takimit, Osmani vlerësoi angazhimin e organizatave joqeveritare dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së tyre në këtë proces. Ndërkohë, mbetet e paqartë se si do të strukturohet ky komision dhe cilat do të jenë kompetencat e tij konkrete.
Shoqëria civile ka qenë prej kohësh kritike ndaj mungesës së një qasjeje të unifikuar për trajtimin e krimeve të së kaluarës dhe mbetet për t’u parë nëse ky mekanizëm do të arrijë të sigurojë drejtësi për viktimat./Katror.info.