Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka vlerësuar arritjet e futbollit shqiptar gjatë vitit 2024, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të denjë në Kampionatin Evropian “Euro 2024” dhe nismave të rëndësishme që kanë kontribuar në zhvillimin e sportit në Shqipëri, shkruan Katror.info.
Në një prononcim drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Infantino ka theksuar se viti 2024 ka qenë i jashtëzakonshëm për futbollin shqiptar, falë rikthimit të Kombëtares në EURO për herë të dytë në tre edicione.
“Ka shumë gjëra për t’u festuar këtë mbrëmje. Mund ta imagjinoj se si çdo tifoz shqiptar anembanë botës është ngazëllyer dhe frymëzuar nga performanca e Kombëtares në EURO 2024. Rikthimi në EURO ishte një arritje e shkëlqyer, dhe ekipi duhet t’ju ketë bërë të gjithëve shumë krenarë,” u shpreh Infantino.
Presidenti i FIFA-s vlerësoi gjithashtu përpjekjet e FSHF-së për zhvillimin e talenteve të reja përmes akademisë “Elite Youth Development Academy”, e cila u hap në shtator të vitit të kaluar. Ai theksoi se kjo nismë do të sigurojë sukses afatgjatë për futbollin shqiptar dhe do të krijojë mundësi të reja për talentet më të mira, si për djemtë ashtu edhe për vajzat.
“Akademia do të ndihmojë në ruajtjen e rritjes së futbollit në të gjitha nivelet, duke i dhënë mundësi talenteve tuaja të testohen kundër ekipeve nga shtete të tjera. Ky është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e futbollit shqiptar,” theksoi Infantino.
Në vijim, ai uroi trajnerin Sylvinho dhe ekipin Kombëtar për sukses në edicionin e ardhshëm kualifikues për Kupën e Botës FIFA 2026. “Me 16 vende tani të disponueshme për ekipet europiane në Kupën e Botës FIFA 2026, duhet të jeni optimistë për të bërë histori duke u kualifikuar për herë të parë në turneun final,” deklaroi Infantino.
Një tjetër pikë e rëndësishme ishte përfaqësimi i ekipit Kombëtar të vajzave. Infantino u bëri thirrje të jenë po aq ambicioze për t’u kualifikuar në Kupën e Botës për Vajza FIFA 2027, që do të mbahet në Brazil.
Ndër të tjera, Presidenti i FIFA-s lavdëroi investimet e kryera në infrastrukturë, duke përfshirë ndërtimin e fushave të reja dhe rinovimin e stadiumeve, si dhe organizimin e kurseve të arbitrimit dhe workshopeve në nivel europian. Ai e cilësoi këto nisma si themelore për një rritje të qëndrueshme të futbollit në Shqipëri.
Në fund të fjalës së tij, Infantino përgëzoi fituesit e çmimeve të vitit 2024 dhe shprehu bindjen se futbolli shqiptar do të vazhdojë të rritet edhe më shumë në vitin 2025.
“Futbolli është i gjallë dhe po lulëzon në vendin tuaj që e do futbollin. Pa dyshim që do të rritet akoma më shumë. Një përqafim për të gjithë dhe mirupafshim,” përfundoi ai./Katror.info