Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka përgëzuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe kulturën e lartë demokratike të treguar gjatë procesit zgjedhor të 9 shkurtit.
Ajo ka shprehur pritshmërinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të përmbyllë numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme.
Megjithatë, pas raportimeve për probleme teknike në softuerin e KQZ-së, Presidentja ka kërkuar që të ruhet integriteti i procesit dhe të sigurohet që çdo votë të numërohet saktë.
“Presidentja do të vazhdojë të jetë në kontakt me të gjitha institucionet përkatëse, deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar,” thuhet në reagimin e Presidencës./Katror.info