Republika e Kosovës ka mirëpritur vendimin historik të Republikës së Kenias për të njohur shtetin e Kosovës si të pavarur dhe sovran.
Vendimi, i nënshkruar nga Presidenti William Ruto dhe dërguar zyrtarisht në Presidencën e Kosovës, është një hap i rëndësishëm për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Në një deklaratë për media, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se ky akt është një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe integritet territorial. Ajo e cilësoi këtë njohje si një njohje të sakrificës dhe vuajtjeve të popullit të Kosovës gjatë luftës për liri dhe pavarësi, duke e vlerësuar atë si një moment të rëndësishëm në historinë e vendit.
”Kjo njohje është një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial. Njëkohësisht është edhe njohje e vuajtjeve të gjata e sakrificës shekullore të popullit të Kosovës për liri”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani shprehu falënderime të sinqerta ndaj Presidentit Ruto për këtë vendim të drejtë dhe theksoi angazhimin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Keninë.
“Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces, me një falënderim të veçantë për ish-Presidentin dhe ish-Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, për angazhimin e tij të palodhur,” tha ajo.
Presidentja Osmani kujtoi takimet e shumta që ka pasur me Presidentin Ruto, gjatë të cilave njohja e Kosovës ka qenë një nga temat kryesore të diskutimeve. Ajo tha se Presidenti Ruto kishte siguruar vazhdimisht se vendimi për njohjen e Kosovës do të merrej në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në vlerësim të sakrificës së popullit kosovar.
Kosova tani synon të thellojë marrëdhëniet me Keninë në fusha të ndryshme, përfshirë diplomacinë dhe partneritetet ekonomike.
Presidentja Osmani shprehu optimizëm për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të plota me Keninë, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një partneriteti të qëndrueshëm dhe të fortë mes dy shteteve dhe popujve të tyre. /Katror.info
Përgatiti:
