Kosova feston këtë vit 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, me një sërë aktivitetesh shtetërore, që janë planifikuara për të shënuar këtë datë historike, shkruan Katror.info.
Institucionet kanë prezantuar logon zyrtare të përvjetorit, që simbolizon rrugëtimin dhe shtetësinë e vendit.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt 2008 nga Kuvendi i Kosovës, duke kurorëzuar një proces të gjatë për liri dhe pavarësi. Menjëherë pas shpalljes, njohjet e para erdhën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia, ndërsa deri më sot, Kosovën e kanë njohur mbi 100 shtete.
Manifestimet shtetërore për 17-vjetorin e Pavarësisë do të përfshijnë aktivitete të ndryshme ceremoniale, përkujtime për dëshmorët, koncerte, konferenca shkencore dhe ngjarje kulturore që pasqyrojnë historinë dhe përparimin e Kosovës si shtet i pavarur. /Katror.info