Nga 9 deri më 14 shtator, Prishtina do të kthehet në kryeqytet të kinemasë botërore me edicionin e 17-të të PriFest – Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë. Hapja bëhet të martën, më 9 shtator, në Kino Armata me premierën botërore të filmit “Bear Hug” nga regjisori Ilirjan Himaj.
“Pothuajse çdo gjë është gati për fillimin e edicionit të 17-të të PriFest – Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë. Festivali do të hapet të martën, më 9 shtator në Kino Armata me premierën botërore të filmit “Bear Hug” nga regjisori Ilirjan Himaj. Nga 10 deri më 14 shtator, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë filma nga kategori të ndryshme që garojnë në konkurrencë zyrtare. Përveç shfaqjeve filmike, festivali do të ofrojë një gamë të gjerë aktivitetesh, duke përfshirë PriForum, workshope, panele diskutimi dhe prezencën e emrave të njohur të industrisë filmike ndërkombëtare,” kanë thënë pë Katror Media organizatorët e festivalit.
Edicioni i 17-të i PriFest do të mbyllet me filmin “Man of the House”, ndërsa kulmi i festivalit do të jetë ceremonia e ndarjes së çmimeve, ku fituesit do të vlerësohen nga një juri me personalitete të njohura të kinematografisë botërore.
Kategoria kryesore garuese – flmat e metrazhit të gjatë
PriFest më herët ka prezantuar kategorinë kryesore garuese, e cila i kushtohet filmave artistik nga Ballkani. Shtatë filma të fuqishëm rrëfejnë histori prekëse dhe dramatike për lirinë, dashurinë dhe identitetin. Me një përzierje premierash botërore, rajonale dhe vendore, kjo kategori pasqyron energjinë, larmishmërinë dhe shpirtin e kinemasë ballkanike.

NGRYK nga ILIRJAN HIMAJ, Kosovë/Shqipëri / Premierë Botërore (107 min)
Agu, një rojtar në një strehë për arinjtë, sheh botën e tij të përmbyset natën kur viziton të dashurën. I humbur dhe pa rrugëdalje, ai gjen një rigjallërim të jetës kur Tina, një vajzë e re, simpatike dhe plot ëndrra, shfaqet në mënyrë magjike në apartamentin ngjitur. Aspiratat e saj për t’u bërë këngëtare e kanë futur në kurthin e një shtetari të pamëshirshëm. I prekur nga gjendja e saj, Agu harton një plan për ta shpëtuar Tinën nga duart e shtetarit dhe së bashku arratisen në natyrë. Si një ari dhe një drenushë, ata kërkojnë lirinë përtej ligjeve të njerëzve. Megjithatë, një gjuetar me instinkte të mprehta i ndjek. Kufijtë mes njeriut dhe kafshës zbehen, dhe instinktet e mbijetesës marrin kontrollin.
EMILY nga AJOLA DAJA, Shqipëri / Premierë Rajonale (72 min)
E rrahur brutalisht nga burri i saj abuziv, Roberti, Emily përpiqet dëshpërimisht të kalojë kufirin grek me djalin e saj të vogël, Oni, për t’i shpëtuar makthit. Por, për të marrë autorizimin e udhëtimit, Emily duhet të përballet me guxim me vjehrrën e saj manipulatore, Yllkën, e cila do të përdorë çdo mjet të mundshëm për t’i mbajtur të ngujuar në Tiranë.
The Pavilion nga DINO MUSTAFIĆ, Bosnje dhe Hercegovinë (koproduksion Kroaci, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi) / Premierë në Kosovë (100 min)
Pas disa vitesh abuzimit dhe poshtërimit, një grup banorësh nga shtëpia e të moshuarve “Pavilioni” vendosin të bëjnë një kryengritje të armatosur. Të armatosur me armë të paligjshme, ata marrin kontrollin e institucionit, mbajnë peng stafin dhe hyjnë në konflikt me autoritetet. Lufta e tyre e dëshpëruar kthehet në një spektakël mediatik dhe politik. Mosha e vjetër bëhet avantazhi i tyre – ata nuk kanë çfarë të humbasin dhe janë të gatshëm të shkojnë deri në fund. Brenda “Pavilonit” lind një rend i ri, i udhëhequr nga hakmarrja dhe zemërimi i akumuluar, duke e bërë të pamundur negociatën me rebelët.
Eternity Package nga MAGDELENA ILIEVA, Bullgari, Itali / Premierë në Kosovë (85 min)
” Eternity Package ” është një odise komike e errët në jetën e përçarë të Bobkës, një varrmihës i pafat në një qytet të korruptuar bullgar ku inatet e vjetra nuk vdesin kurrë – thjesht trashëgohen. Bobka ndihmon njerëzit të kalojnë në jetën tjetër, por vetë nuk mund ta kapërcejë humbjen e babait të tij vite më parë. Kur Joana – diva e shuar që shkaktoi vdekjen e babait të tij në një aksident me arratisje – kthehet në qytet dhe pa turp e punëson Bobkën për t’i organizuar një lamtumirë madhështore, ai detyrohet të përballet me ironinë e dhënies së dinjitetit asaj që ia kishte marrë atij.
Man of the House nga ANDAMION MURATAJ, Shqipëri, Itali, Austri, Kroaci, Kosovë, Maqedonia e Veriut / Premierë në Kosovë (104 min)
Fran, një grua që ka zgjedhur të jetojë një jetë beqare si burrë, duke ndjekur traditën e Virgjineve Shqiptare. Për t’u bërë nënë për mbesën e saj jetime, Fran duhet të marrë një vendim të vështirë mes ruajtjes së statusit të saj si “burrë” ose heqjes dorë prej tij për t’u rilidhur me ndjenjat amësore që kishte shtypur prej kohësh. Kur vjen momenti për të ecur përpara, zgjedhja e vetë mbesës e detyron Franin të përballet me frikërat më të thella: të mbajë fëmijën pranë ose t’i japë krahë vajzës së re.
Cycle nga ERKAN TAHHUŞOĞLU, Turqi, Kosovë / Premierë Rajonale (81 min)
Sevim, që jeton me vajzën, dhëndrin dhe mbesën e saj në një lagje të varfër të Stambollit, ka punuar për shumë vite si pastruese ditore në shtëpinë e një gruaje të pasur të quajtur Ayten. Një ditë, kujdestarja kosovare e Aytënit, Lena, pëson një aksident në shtëpi dhe ky incident nxit çështje ligjore mes palëve. Sevim, e detyruar të bindë Lenën nën presionin e Aytenit dhe të birit të saj, do të ngecë mes kontradiktave klasore, morale dhe ndërgjegjes.
Kategoria e metrazhit të mesëm
PriFest prezanton filmat garues në kategorinë e metrazhit të mesëm, një program që sjell një gamë të larmishme filmash nga katër vende evropiane. Këta katër filma trajtojnë tema si ndalimet shoqërore, presioni familjar, privilegjet klasore dhe identiteti personal. Të gjithë personazhet përballen me zgjedhje që sfidojnë normat shoqërore dhe vetëdijen e tyre.
TWO PEOPLE EXCHANGING SALIVA nga Natalie Musteata, Alexandre Singh, Francë / Premierë Rajonale (36:15 min)
Në një shoqëri ku puthjet dënohen me vdekje dhe njerëzit paguajn me shuplaka në fytyrë, Angine, një grua e pakënaqur, shpenzon në mënyrë kompulsive në një dyqan të madh. Aty, ajo magjepset nga një shitëse e pafajshme dhe naive. Të dyja afrohen gjithnjë e më shumë, duke nxitur dyshimet e një kolegu xheloz.
NIKAH nga Mukaddas Mijit dhe Bastien Ehouzan, Francë / Premierë në Kosovë (55 min)
Është viti 2017, në Rajonin Ujgur. Dilber, një grua 27-vjeçare dhe beqare, përballet me presione gjithnjë e më të mëdha për t’u martuar. Çdo ditë, ajo komunikon me video me shoqen e saj Gulnur në Paris, e cila i ofron një zgjidhje të papritur.
PRINCI nga Alex Sardà, Spanjë / Premierë në Kosovë (29 min)
Sot është dita e premierës, dhe Arturi – djali i një familjeje borgjeze dhe valltar në një trupë vallëzimi bashkëkohor – sillet si princ në një mbretëri të krijuar sipas imazhit të vet. Por gjithçka ndryshon kur i ati arrestohet për korrupsion në një skandal ndërtimi. Që nga ai moment, Arturi përballet me një zgjedhje të vështirë: ta mbrojë familjen duke fshehur të vërtetën për babanë e tij, apo të përballet me pasojat e humbjes së privilegjeve të tij.
ISHUlli I HARRESËS nga Jamie Vella, Malta / Premierë Botërore (45 min)
Odiseu dhe Kalipsoja jetojnë një jetë idilike në një ishull të qetë dhe pastoral. Por kjo qetësi kthehet në trazim kur Odiseu zbulon një të vërtetë të mundshme mbi identitetin e tij. Ai përballet me një zgjedhje: të përballet me të kaluarën e tij, apo të mbetet i strehuar në një botë rehatie pranë Kalipsos.
PRIFEST paraqet filmat konkurrues në kategorinë e filmit të shkurtër
Kategoria e filmave të shkurtër
PRIFEST këtë vit sjell një program shumë të pasur të filmave të shkurtër nga Evropa dhe bota, rrëfime të fuqishme që prekin faljen, rebelimin, intimitetin, dhe humbjen. Shtatë filma, ndër to premiera nga Kosova, rajoni dhe Evropa.
ONE PUNCH – nga Huse Monfaradi, Mbretëria e Bashkuar / Premierë Evropiane (10 minuta e 21 sekonda)
I vendosur kryesisht në dhomën e vizitave të një burgu në Midlands-in britanik, takojmë Jamin – një i burgosur i ri që ka marrë rrugë të gabuar – i cili vizitohet një pasdite të zymtë nga Zainab dhe Hasani, prindërit e djalit që ai e vrau gjatë një përleshjeje në rrugë. Mësojmë se kjo nuk është hera e parë që ata e vizitojnë Jamin dhe se ajo ditë do të kishte qenë ditëlindja e 21-të e djalit të tyre, Ahmedit. Të udhëhequr nga forca personale dhe besimi i tyre, Hasani dhe Zainab e kanë gjetur forcën për ta falur Jamin dhe duan që ai të përpiqet të ndërtojë një jetë më të mirë.
ONE WOMAN FILM nga Anita Morina, Kosovë / Premierë Rajonale (08 minuta e 50 sekonda)
Një vajzë që punon si cam girl vendos një kamerë për të regjistruar veten duke gatuar, duke e bërë të paqartë vijën ndarëse mes performancës dhe intimitetit, teksa përballet me mendime të padëshiruara ndërkohë që pret të arrijë takimi i saj.
Bark – nga Branislav Milatović, Mali i Zi / Premierë në Kosovë (16 minuta)
Babë e bir enden në një shkretëtirë të bardhë të mbuluar me borë…
Bitter Chocolate – nga Sahar Sotoodeh, Iran/Gjermani / Premierë në Kosovë (20 minuta)
Yasi, një vajzë e vendosur, 16-vjeçare, ka mbërritur në Kryeqytet nga qyteti i saj i lindjes me pretekstin e testit IELTS, për të ndërprerë ilegalisht shtatzëninë e padëshiruar përpara se të jetë vonë.
Majoneze – nga Giulia Grandinetti, Itali / Premierë në Kosovë (22 minuta)
Ersekë, Shqipëri.
Elyria jeton me familjen e saj duke ndjekur rregullat e rrepta të vendosura nga babai i saj, duke fshehur zemërimin përmes bindjes. Një dëshirë e fuqishme për rebelim rritet dita-ditës, që do ta çojë drejt një akti të hidhur, por të nevojshëm revolucioni.
Three Keenings – nga Oliver McGoldrick, Mbretëria e Bashkuar/Irlandë/SHBA / Premierë në Kosovë (10 minuta)
Ian është një aktor që po has vështirësi dhe që e gjen veten në një rol të pazakontë, si vajtues profesionist. Teksa udhëton nëpër fshatrat e Irlandës së Veriut, maska e tij e indiferencës fillon të bjerë përballë humorit dhe dhembjes që has në ceremonitë lokale të varrimit.
Three – nga Amie Song, SHBA / Premierë në Kosovë (15 minuta)
Në një mbledhje në shtëpi, një grua kineze që sapo është shpërngulur në Shtetet e Bashkuara për të jetuar me vajzën e saj përpiqet të fshehë sekretet e vajzës nga miqtë e rinj./Katror.info