Sot, më 9 korrik 2025, në ora 12:00 në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, do të mbahet ceremonia hapëse e Kampionatit Evropian të Esports – European Esports Championship 2025 (EEC25), një ngjarje madhore që për herë të parë organizohet në Kosovë.
Ky kampionat përfaqëson një moment historik për vendin, duke e pozicionuar Prishtinën në hartën evropiane të sporteve elektronike dhe teknologjisë. Pjesëmarrja e më shumë se 250 garuesve nga 45 shtete evropiane, që do të garojnë në dy nga lojërat më të njohura në botë – Counter-Strike 2 (CS2) dhe Dota 2 – dëshmon për rëndësinë dhe përmasën ndërkombëtare të këtij eventi, shkruan Katror.info.
Në ceremoninë e hapjes do të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Kryetarin e Federatës së Esports të Kosovës, Altin Preniqi, si dhe Sekretarin e IESF-së, Boban Totovski.
Ceremonia do të pasurohet edhe me pika artistike me simbolikë kulturore: sopranoja Arta Jashari dhe kitaristi Ardit Stafa do të interpretojnë këngën “Dashuro” të Nexhmije Pagarushës, ndërsa Ansambli Kombëtar “Shota” do të perforomojë një valle tradicionale shqiptare, duke krijuar një bashkëdyzim të veçantë mes teknologjisë moderne dhe trashëgimisë kulturore.
Sipas zëvendësministres në detyrë, Daulina Osmani, palestra “1 Tetori” është përgatitur për atmosferën unike që do ta dominojë Prishtinën gjatë këtyre ditëve. Ky event shënon një arritje të madhe për vendin, si nga aspekti sportiv, ashtu edhe nga ai ekonomik dhe kulturor.
Kosova përfaqësohet nga një ekip elitar në lojën CS2, ku katër prej anëtarëve janë ish-lojtarë të skuadrës legjendare Bad News Eagles, të cilët kanë pasur paraqitje të fuqishme në skenën globale. Ekipit i është bashkuar edhe një talent i ri nga NAVI Jr., akademia e një prej organizatave më të mëdha në Esports.
Prishtina përjeton një javë të jashtëzakonshme ku sporti, teknologjia dhe kultura bashkohen në një ngjarje të paprecedent. Kampionati Evropian i Esports është shumë më tepër sesa një turne – është një mesazh i fuqishëm se Kosova është gati të konkurrojë dhe të udhëheqë në skenën digjitale globale./Katror.info