Prishtina shënon një hap historik për futbollin e vajzave në Kosovë. Komuna e kryeqytetit, në bashkëpunim me KFV Prishtina, ka hapur zyrtarisht Fushën e Bardhoshit, terrenin e parë futbollistik dedikuar vetëm vajzave.
Kjo hapësirë nuk është vetëm një fushë sportive – ajo synon të ofrojë një ambient ku vajzat nga të gjitha komunitetet e Kosovës mund të stërviten, të zhvillohen dhe të besojnë se sporti është edhe i tyre.
Hapja e fushës është pjesë e marrëveshjes strategjike me Komunën e Prishtinës dhe projektit të përbashkët me UEFA Foundation for Children, nën patronatin e Presidencës së Republikës së Kosovës. Projekti ka nisur tashmë mbledhjen e fondeve për investimet e para, me qëllim që fusha të bëhet një vend ku edukimi, barazia gjinore dhe sporti bashkohen.
Kryetari i Komunës, Perparim Rama, theksoi rëndësinë e kësaj nisme: “Kjo fushë është më shumë se një terren i gjelbër – është një ftesë për vajzat që të besojnë në veten e tyre dhe një garanci se gjenerata e re do të ketë një shtëpi për ëndrrat e saj.”
Komuna dhe KFV Prishtina ftojnë prindërit, familjet dhe komunitetin e gjerë të marrin pjesë në trajnime, aktivitete dhe ndeshje, duke mbushur fushën me energji, gëzim dhe ëndrra që bëhen realitet.
Ky hap shënon fillimin e një epoke të re, ku futbolli i vajzave në Kosovë nuk është më një ëndërr, por një realitet që po ndërtohet me bashkëpunim dhe vizion të përbashkët./Katror.info