Gjatë dy ditëve të fundit, hapësira kulturore Kino Armata në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës ka mirëpritur regjisorin meksikan Tin Dirdamal, i cili erdhi nga Nepali për të ndarë përvojën e tij artistike në një punëtori intensive të titulluar “Një lumë kundër rrjedhës mes fiksionit dhe dokumentarit” , shkruan Katror.info.
Përmes kësaj punëtorie, Dirdamal prezantoi qasjen e tij krijuese që zhvendoset lirshëm mes fiksionit dhe dokumentarit, duke eksploruar format eksperimentale të rrëfimit dhe marrëdhëniet e ndërlikuara mes realitetit dhe imagjinatës.
Krahas punëtorisë, publiku pati mundësinë të ndjekë edhe tri nga filmat e tij, të realizuar në vende dhe kontekste të ndryshme kulturore:
- Dark Light Voyage (Meksikë–Vietnam),
- Death in Arizona (Meksikë–Bolivi–Gjermani),
- SAIGON, KOSOVO (Kosovë–Vietnam).
Ngjarja solli bashkëbisedim dhe reflektim mbi format alternative të rrëfimit filmik dhe rolin e kinemasë në ndërtimin e narrativave që sfidojnë vijat klasike të zhanreve. Pjesëmarrësit e punëtorisë, kryesisht kineastë të rinj dhe profesionistë të fushës, patën rastin të mësojnë nga përvoja unike e Dirdamal dhe të diskutojnë qasje të reja krijuese në procesin e prodhimit filmik./Katror.info