Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka pritur në takim përfaqësues të lartë të komunitetit ndërkombëtar të Esports, me rastin e përgatitjeve për organizimin e Kampionatit Evropian të Esports, i cili do të mbahet në Prishtinë nga 7 deri më 14 korrik 2025, shkruan Katror.info.
Në takim morën pjesë presidenti i Federatës Evropiane të Esports, Karol Cagan, sekretari i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Esports, Boban Totovski, dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Esports, Lukasz Klimczyk, të shoqëruar nga përfaqësues të Federatës Esports Kosova.
Gjatë këtij takimi u nënshkrua marrëveshja tripalëshe për bashkëorganizimin e Kampionatit Evropian të Esports, ndërmjet Federatës Esports Kosova, Federatës Ndërkombëtare të Esports dhe Federatës Evropiane të Esports. Po ashtu, MKRS-ja zyrtarizoi mbështetjen financiare përmes nënshkrimit të memorandumit me Federatën Esports Kosova, si pjesë e fazës së dytë të implementimit të projektit.
Kampionati Evropian i Esports pritet të sjellë në Prishtinë garues nga e gjithë Evropa dhe do të përfshijë disa nga disiplinat më të njohura të videolojërave si CS2 (për meshkuj dhe femra) dhe Dota 2 (për meshkuj). Ky event cilësohet si ngjarja më e madhe e videolojërave që është organizuar ndonjëherë në Kosovë dhe në rajon, dhe pritet të shënojë një moment të rëndësishëm në zhvillimin e sporteve elektronike në vend./Katror.info